Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke zhvilluar veprime fillestare hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim i barnave” nga neni 257 i KPRK-së.
Hetimet kanë për qëllim verifikimin e rrethanave që ndërlidhen me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.
Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët që kanë pranuar shërbime shëndetësore, këshilla apo terapi me përdorimin e ndonjë medikamenti nga personi në fjalë, dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan, për intervistim dhe sqarim të rrethanave të rastit.
