Hyseni: Vazhdon pastrimi i kanalit të Kufcës për parandalimin e vërshimeve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndarë fotografi nga punimet që po zhvillohen në kuadër të pastrimit të lumenjve dhe kanaleve, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të mjedisit.

Ai ka bërë të ditur se po vazhdon pastrimi i kanalit të Kufcës, në fshatin Kufcë e Poshtme, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për mbrojtjen nga vërshimet.

“Në vazhdën e angazhimit tonë për një Gjilan më të pastër, si dhe për siguri më të madhe për banorët dhe mbrojtje nga vërshimet, po vazhdon pastrimi i kanalit të Kufcës në fshatin Kufcë e Poshtme.

Me një gjatësi prej 800 metrash, ky kanal që është hapur gjatë mandatit të parë dhe që shpeshherë, sidomos gjatë reshjeve, ka qenë problematik për banorët, tashmë po merr një pamje tjetër,” ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtuar se puna do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të komunës, duke apeluar për bashkëpunim nga qytetarët.

“Do të vazhdojmë bashkë të angazhohemi që çdo pjesë e komunës sonë të jetë e pastër dhe e gjelbër. Andaj, edhe njëherë u bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të mos ndotin ambientin,” ka përfunduar ai.

Shpërndaj me të tjerët