Platoni e parashikoi shkollën në demokraci me shumë skepticizëm, pothuaj si një paralajmërim filozofik që tingëllon befas aktual edhe sot.
Në fragmentin nga “Republika” (libri VIII), ai përshkruan një shoqëri ku liria e tepruar humbet masën dhe e zbeh autoritetin, duke e prekur drejtpërdrejt edhe shkollën.
Historiani dhe mësimdhënësi në pension Emin Selimi nga Gjilani, përmes kësaj fotografie, ka rikujtuar pikërisht këtë vizion të Platonit, ku mësuesi frikësohet nga nxënësit, nxënësit nuk e respektojnë mësuesin, ndërsa barazia e keqkuptuar shndërrohet në anarshi.
Sipas Platonit, kur zhduken kufijtë mes roleve, mes mësuesit dhe nxënësit, prindit dhe fëmijës, shkolla bëhet pasqyrë e një shteti pa disiplinë dhe pa respekt.
Thelbi i kritikës së Platonit nuk është kundër dijes, por kundër një lirie të shkëputur nga përgjegjësia dhe autoriteti moral.
Për të, shkolla duhet të jetë vend formimi karakteri, me hierarki pedagogjike, ku mësuesi udhëheq dhe nxënësi mëson.
Sot, siç sugjeron edhe ky rikujtim i Emin Selimit, realiteti arsimor duket në shumë aspekte pothuajse i njëjtë me atë që Platoni e kishte parashikuar shekuj më parë , duke e bërë paralajmërimin e tij filozofik më aktual se kurrë.
