Në një kohë kur shpesh ankohemi për mungesë përkushtimi dhe përgjegjësie qytetare, ka njerëz që me punën e tyre të përditshme japin shembuj të rrallë frymëzimi.
Njëri prej tyre është punëtori i palodhur dhe i nderuar, Avdil Ibishi, punëtor në NPL “Tregu” Sh.A. në Gjilan.
Edhe pse përballet me nevoja të veçanta, Avdili çdo ditë, me përkushtim dhe vullnet të jashtëzakonshëm, kujdeset që hapësirat publike të jenë të pastra dhe të rregullta.
Angazhimi i tij nuk njeh barriera, as fizike e as sociale, përkundrazi, ai dëshmon se puna, dinjiteti dhe përgjegjësia qytetare nuk maten me kufizime, por me zemër dhe vullnet.
Shembulli i Avdil Ibishit është një mesazh i fortë për të gjithë shoqërinë: kujdesi për ambientin është detyrë e përbashkët dhe secili prej nesh mund të kontribuojë, pavarësisht rrethanave.
Ai është dëshmi e gjallë se forca e njeriut qëndron te karakteri, përkushtimi dhe dashuria për punën.
NPL “Tregu” Sh.A shpreh respekt dhe mirënjohje të thellë për Avdil Ibishin dhe për çdo punëtor që me angazhimin e tij të përditshëm jep shembull force, vullneti dhe përgjegjësie qytetare.
“Punë të mbarë Avdil, je frymëzim për të gjithë ne”, kanë shkruar NPL “Tregu” Sh.A .

