Stacioni i ri i autobusëve po merr formë në Gjilan
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes disa fotografive të publikuara ka prezantuar ecurinë e punimeve në ndërtesën e Stacionit të ri të Autobusëve, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor për qytetin.
Punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe projekti, me vlerë rreth 1 milion euro, po transformon hapësirën ekzistuese në një objekt modern, funksional dhe me infrastrukturë bashkëkohore, në shërbim të qytetarëve, udhëtarëve dhe transportuesve vendorë e ndërkombëtarë.
Ky investim po finalizohet falë bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për realizimin e projekteve kapitale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Gjilan.
Stacioni i ri i autobusëve do të ofrojë kushte moderne operimi, hapësira të përshtatshme për udhëtarët dhe shërbime cilësore, duke e pozicionuar Gjilanin si një pikë më të zhvilluar dhe funksionale për transportin rajonal dhe ndërkombëtar .
