Biblioteka “Drita” në Kamenice ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Fakulteti i Shkencave Sociale të Universiteti Publik “Kadri Zeka”, me qëllim të forcimit të lidhjeve institucionale dhe promovimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike e kulturore.
Kjo marrëveshje që është nënshkruar nga u.d. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport në Kamenicë Milaim Limoni dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta, organizimin e ligjëratave, tryezave shkencore, promovimeve të librave dhe aktiviteteve të tjera që kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe akademike në komunën e Kamenicës dhe më gjerë.
Me këtë rast, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Ai vlerësoi lart rolin e bibliotekave si qendra të dijes dhe theksoi se bashkëpunimi me Bibliotekën “Drita” do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së aktiviteteve shkencore dhe hulumtuese.

