Avdus Canaj kujton vëllanë Alush Canaj në përvjetorin e vrasjes

 

Poeti gjilanas Avdus Canaj ka përkujtuar me emocion dhe nostalgji vëllanë e tij, poetin dhe atdhetarin Alush Canaj, përmes një shkrimi të shkurtër, por thellësisht domethënës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Avdus Canaj shkruan se më 15 shkurt 1972, saktësisht natën e së martës, Alush Canaj u vra nga strukturat e UDB-së, duke e cilësuar atë si “agimtar të lirisë së Kosovës”.

Ai në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar:

PËRVJETOR

Pesëdhjetë e katër vjet më parë, pikërisht natën e të martës së 15 shkurtit të vitit 1972, vrasësit e UDB-së, Selim Brosha, Naip Hoxha dhe Muharrem Halili, bashkë me bashkëpunëtorët e vet, vranë poetin dhe atdhetarin ALUSH CANAJ, agimtarin e lirisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor, ai ka risjellë edhe dy poezi të shkruara nga Alushi në fillim të viteve ’70, si dëshmi e ndjeshmërisë së tij poetike dhe përkushtimit atdhetar.

ALUSH CANAJ!

 HARABELI

Unë jam harabeli me shtëpi te zabeli. Me këngë bleroj barin, luftoj me acarin.

Ma tregojnë kamxhikun, se luaj dot qerpikun, as sshkoj në shtegtim, rri në vendin tim.

Në tokën e lavdisë, në zemër të Ilirisë.

(1970)

FLAMURI MBI KULLË

Më ndjekin ujqit për flamurin mbi kullë. Copa-copa do të më bajnë si drenushën e pafajshme, nëse më kapin në maje të lisit.

Ulurojnë, lisin duan ta rrëxojnë po rrënjët e tij thellë në Iliri.

Si lumi kur del nga shtrati zemërimi rritet e rritet, plasin nga inati.

Flamuri në kullë valvitet.

(Kallnor, 1972)

Ky përkujtim i Avdus Canajt rikthen në kujtesë jo vetëm figurën e Alush Canajt, por edhe fuqinë e vargut të tij poetik, i cili mbetet dëshmi e gjallë e qëndresës, dashurisë për atdheun dhe sakrificës për liri.

 

 

Shpërndaj me të tjerët