KULTURË/“Tetori Rozë” sjell në Gjilan Koloninë Ndërkombëtare të Artit “Ngjyrat Shërojnë”

Gjilan, 2 tetor 2026 – Me nismën e piktores gjilanase Jalldeze Mustafa dhe Prof. Hajrush Fazliu, si dhe nën kurimin e artistes nga Shqipëria, Anila Hetoja, në Gjilan do të organizohet edicioni i parë i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit me moton “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”.

​Ky manifestim me karakter ndërkombëtar vjen si një thirrje për ndërgjegjësim, shpresë dhe solidaritet, duke bashkuar artistë e krijues nga vende e kultura të ndryshme rreth një mesazhi të përbashkët human.

​Në kuadër të muajve të ndërgjegjësimit për Tetorin Rozë, organizatorët theksojnë se përmes pikturës dhe komunikimit artistik, ky aktivitet synon të dëshmojë fuqinë shëruese të artit, aftësinë e tij për të afruar njerëzit dhe për të përcjellë optimizëm përballë sfidave të jetës.

​Gjilani, si një qytet me traditë të pasur kulturore, hap kështu dyert për bashkëpunimin ndërkombëtar artistik, duke synuar që ky edicion i parë të shërbejë si fillimi i një tradite të përvitshme.

​Këshilli organizativ i kësaj ngjarjeje përbëhet nga organizatorja Jalldeze Mustafa, kuratorja Anila Hetoja dhe drejtori i Galerisë së Artit në Gjilan, Din Azizi, të cilët i ftojnë të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e këtij manifestimi të veçantë. ​/ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët