Një ndër aktivitetet më kryesore dhe më domethënëse të komunitetit shqiptar në Bursa të Turqisë, brenda çdo viti, është pa asnjë mëdyshje manifestimi i Pavarësisë së Kosovës.
Ky eveniment tashmë tradicional organizohet nga komuniteti shqiptar në këtë qytet dhe udhëhiqet nga kryetari i shoqatës, Recep Gündüz, me mbështetjen e fuqishme të komunitetit të biznesit, në krye me Fahretrin Gülener, konsull nderi i Republikës së Kosovës në Bursa.
Kështu ka bërë të ditur gjilanasi Albert Selishta, i cili për më shumë se 15 vjet ka jetuar dhe vepruar në Turqi, duke qenë pjesë aktive e organizimit të festimeve të Pavarësisë së Kosovës dhe Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor, në Bursa.
Sivjet, Selishta po merr pjesë në këtë manifestim në cilësinë e mysafirit të nderuar nga Kosova, pasi tashmë është rikthyer për të jetuar në Gjilan.
Sipas tij, në Bursa mbizotëron entuziazëm i madh dhe përkushtim i veçantë për të shënuar këtë ditë historike, ku të pranishëm janë edhe përfaqësues të shumtë institucionalë nga Turqia.
“Nga Prefektura, Bashkia, drejtorë të ndryshëm, kryetarë të shoqatave të ndryshme dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të Turqisë”, ka thënë Selishta.
Ai ka shtuar se manifestimi përcillet me këngë shqipe dhe valle tradicionale nga grupet e folklorit shqiptar në Bursa, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të vërtetë kombëtare.
“Është kënaqësi e veçantë të jesh i pranishëm në këso ngjarje të rëndësishme, sepse me shumë mall dhe nostalgji qytetarët dhe shoqatat shqiptare në Bursa e organizojnë këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Selishta.
Ky manifestim mbetet një dëshmi e fortë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe lidhjes së pandërprerë të diasporës shqiptare me Kosovën.

