Humanisti i njohur shqiptar Halil Kastrati ka paralajmëruar hapjen e një mega projekti humanitar në Gjilan, i cili do të inaugurohet nesër (e hënë), me fillim nga ora 11:00.
Sipas njoftimit të bërë publik, bëhet fjalë për një projekt të madh dhe gjithëpërfshirës në zemër të Gjilanit, i cili përfshin, qendrim ditor për të moshuar, kuzhinë humanitare dhe bujtinë për studentë.
Ky projekt synon të shërbejë si një hapësirë solidariteti dhe humanizmi, ku i moshuari do të gjejë ngrohtësi, i urituri bukë, ndërsa studenti strehë dhe mbështetje.
“Nesër në ora 11:00, hapim dyert e një tjetër projekti të bërë realitet. Një mega projekt në zemër të Gjilanit, falë bamirësisë dhe përkushtimit të njerëzve të mirë”, ka theksuar Kastrati, duke falënderuar të gjithë bamirësit që kontribuan në realizimin e këtij projekti.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në Sallën e Teatrit në Gjilan, ndërsa pritet pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe donatorëve.
Ky projekt konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë së solidaritetit dhe humanizmit shqiptar, duke e shndërruar Gjilanin në një qendër të rëndësishme të kujdesit social dhe ndihmës për kategoritë në nevojë.
Para dy javësh, fshati Llovcë dhe shkolla e fshatit u përballën me mungesë të furnizimit me ujë.
Pas adresimit të këtij shqetësimi pranë kompanisë Hidromorava, ekipet dolën në terren dhe, përkundër kushteve sfiduese, arritën të sanojnë defektet dhe të rikthejnë furnizimin me ujë.
Uji i pijshëm është një nevojë themelore, prandaj rikthimi i shërbimit ishte prioritet për shkollën dhe komunitetin.
Faleminderit kompanisë KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan dhe punëtorëve për përkushtimin dhe profesionalizmin!

