Redon Ismaili, i cili sot po shkëlqen me paraqitjet e tij te Partizani Tirana dhe konsiderohet një nga futbollistët më premtues në Superligën shqiptare, ka vizituar ish shkollën e tij gjimnazin shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Ai u rikthye aty ku hodhi hapat e parë drejt suksesit, për të falënderuar mësimdhënësit për përkrahjen, këshillat dhe edukimin që mori gjatë viteve të shkollimit.
Vizita e tij ishte një motivim i madh për nxënësit tanë, të cilëve u përcolli mesazhe të forta për përkushtim, punë dhe besim në rrugën drejt realizimit të ëndrrave profesionale. Me shembullin e tij, ai vazhdon të mbështesë dhe të inkurajojë talentet e reja në fusha të ndryshme drejt sukseseve të ardhshme.
Drejtori Jeton Rexhepi, si gjithmonë pranë nxënësve dhe sportistëve, e priti me kënaqësi këtë vizitë, ndërsa edhe mësimdhënësit e tij të dikurshëm kaluan momente të ngrohta dhe krenarie me ish-nxënësin e tyre.
Redoni ka mbrojtur me sukses edhe ngjyrat e Kombëtarja e Kosovës U21, si dhe më herët ishte pjesë e klubit SC Gjilani.
Kjo vizitë ishte një dëshmi e fortë se puna, përkushtimi dhe mbështetja e shkollës mbeten themele të rëndësishme në rrugëtimin drejt suksesit.
Gjimnazi do të vazhdojë të jetë gjithmonë një shtëpi e hapur për ish-nxënësit që bëjnë krenar komunitetin e gjerë të komunës.

