Sekuestrohet pistoletë dhe municion në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë

GJILAN – Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të armëmbajtjes pa leje të regjistruar mbrëmjen e djeshme në rajonin e Gjilanit.

Më datën 02.03.2026, rreth orës 19:20, Njësiti për Reagim të Shpejtë (NJRSH) nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, gjatë një pike kontrolli të automjeteve në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë, ka ndaluar për verifikim një automjet me targa vendore.

Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, zyrtarët policorë kanë hasur në një armë zjarri, të cilën drejtuesi i automjetit e posedonte pa leje valide nga organet kompetente.

Si dëshmi materiale për gjykatën, policia ka sekuestruar: një pistoletë të llojit Zoraki M 906-T, një karikator dhe  pesë (5) fishekë të kalibrit 7.65 mm.

I dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacionin policor, ku është intervistuar në përputhje me procedurat ligjore.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Rasti mbetet në procedurë të rregullt hetimore.

 

Shpërndaj me të tjerët