Pas largimit të Jeton Rexhepit, ja kush do ta udhëheqë gjimnazin “Zenel Hajdini”

GJILAN – Gjimnazi i shkencave shoqërore “Zenel Hajdini” në Gjilan ka kaluar nën udhëheqjen e një drejtuesi të ri.

Profesori i historisë dhe koordinatori i deritanishëm i cilësisë, Ilir Vokshi, është emëruar zyrtarisht në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni arsimor.

Ky ndryshim vjen pas kalimit të drejtorit të deritanishëm, Jeton Rexhepi, në krye të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan.

Përmes një komunikate për publikun, Vokshi ka shprehur se pranimin e kësaj detyre e konsideron si një përgjegjësi të lartë profesionale dhe një obligim institucional për të çuar përpara vizionin e shkollës.

Ai është zotuar për një udhëheqje me transparencë të plotë, duke vënë theksin te rritja e cilësisë në mësimdhënie dhe avancimi i rezultateve të nxënësve.

Duke i shprehur mirënjohje paraardhësit të tij për punën e bërë, drejtori i ri ka kërkuar bashkëpunimin e stafit, nxënësve dhe prindërve për të siguruar që gjimnazi “Zenel Hajdini” të mbetet një shembull i disiplinës dhe suksesit në rajonin e Anamoravës.

 

Shpërndaj me të tjerët