Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi për mbështetjen e nxënësve të talentuar në fushën e matematikës.
Marrëveshja u zyrtarizua nga kryetari i Shoqatës, Bregan Isufi, dhe drejtori i DKA-së, Selami Klaiqi, në prani të përfaqësuesit të degës lokale, Agon Mahmuti.
Nga 1 shtatori do të nisë programi i trajnimeve pa pagesë për nxënësit me potencial të lartë, me qëllim përgatitjen e tyre për gara dhe olimpiada.
Kjo marrëveshje parasheh gjithashtu:
Organizimin e olimpiadave, kupave, kampeve dhe klubeve matematikore.
Punëtori dhe trajnime për mësimdhënësit e komunës.
Hartimin e materialeve mësimore dhe të detyrave, hulumtimeve dhe ligjëratave akademike.
Shfrytëzimin e hapësirave shkollore për projekte të përbashkëta.
Përmes këtij partneriteti, identifikimi dhe zhvillimi i talenteve të reja në Kamenicë merr një formë të organizuar dhe afatgjatë.
