Gjyqtari Naser Maliqi ka arritur moshën e pensionimit, duke përmbyllur një karrierë të gjatë dhe të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Maliqi ka shërbyer si gjyqtar në Gjykata Themelore në Gjilan, në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë kontribut të çmuar në trajtimin e çështjeve të rëndësishme penale.
Me këtë rast, kolegët gjyqtarë dhe stafi administrativ i kësaj gjykate i kanë uruar shëndet dhe mbarësi në jetën pas pensionimit, duke e falënderuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar ndër vite.
Sipas biografisë së tij, Maliqi ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universiteti i Prishtinës në vitin 1983, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2000.
Karrierën si gjyqtar e ka nisur në vitin 2002 në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Viti, për të vazhduar më pas në Gjykatën Komunale në Viti deri në vitin 2010.
Nga viti 2010 deri në 2012 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Gjilan.
Më 1 janar 2013, ai u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndërsa nga nëntori i vitit 2015 ka shërbyer në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Përveç angazhimit në sistemin gjyqësor, gjatë viteve 1997-1999, Maliqi ka qenë edhe drejtor i Kooperativës së taksave “Manifaktura” në Viti.
