Është përmbyllur me sukses cikli i informimit publik për projektin madhor të rindërtimit të kadastrit në Komunën e Gjilanit, një proces që synon reformimin e plotë të sistemit të pronave dhe eliminimin e pasaktësive disavjeçare.
Ky projekt ka përfshirë zonat kadastrale Livoç i Epërm, Bresalc, Shillovë dhe Dobërçan, si dhe lagjet urbane “Arbëria” dhe “Dheu i Bardhë”.
Gjatë takimeve të mbajtura nga 1 deri më 8 prill, qytetarët patën mundësinë të informohen drejtpërdrejt nga zyrtarët komunalë dhe ata të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) mbi hapat teknikë dhe rëndësinë e regjistrimit të saktë të pasurisë.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, e ka cilësuar këtë proces si jetik për rritjen e sigurisë juridike të pronës. “Pjesëmarrja qytetare është e rëndësishme për një proces të saktë dhe transparent. Ky rindërtim synon përditësimin e të dhënave pronësore dhe mbrojtjen e pasurisë së çdo qytetari”, deklaroi Hyseni.
Drejtoresha për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, theksoi se projekti do të lehtësojë procedurat administrative dhe do të ndërtojë një sistem transparent dhe funksional.
Sipas saj, krijimi i një regjistri të besueshëm të pronave adreson çështjet e trashëguara ndër vite dhe u jep zgjidhje problemeve teknike në terren.
Edhe zyrtarët nga Agjencia Kadastrale e Kosovës vlerësuan bashkëpunimin e lartë të banorëve, duke nënvizuar se kjo reformë është themeli për një sistem kadastral modern.
Përmes këtij angazhimi të përbashkët, Gjilani bën një hap të madh drejt eliminimit të gabimeve teknike dhe garantimit të plotë të titujve pronësorë për të gjithë banorët e përfshirë në projekt.

