Policia e Gjilanit “godet” shkelësit e trafikut

1849 gjoba brenda një jave – Policia e Gjilanit “godet” shkelësit e trafikut

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka intensifikuar kontrollet në komunikacion gjatë periudhës 03.04.2026 – 09.04.2026, duke shqiptuar gjithsej 1,849 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.

Sipas njoftimit zyrtar, këto masa janë ndërmarrë në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe një numër i konsiderueshëm aksidentesh.

Policia ka bërë të ditur se janë hetuar 15 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 22 aksidente me persona të lënduar.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe shkelje të ndryshme, ku janë shqiptuar:
26 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 8 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 13 gjoba për modifikim të paautorizuar të automjeteve (folije të errëta), si dhe është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 31 ngasës.

Në kuadër të aktiviteteve të Task Forcës për siguri në trafik, policia ka shtuar kontrollet në rrugë, me fokus të veçantë ndaj motoçikletave, triçikletave dhe trotinetëve.

Gjatë kësaj jave janë identifikuar dhe tërhequr nga qarkullimi 26 motoçikleta, ndaj të cilave janë shqiptuar edhe gjobat përkatëse.

Policia rikujton se përdorimi i rripit të sigurisë është obligativ për shoferin dhe të gjithë pasagjerët në automjet, ndërsa për mosrespektim të kësaj rregulle parashihet gjobë prej 150 euro.

Autoritetet apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët