Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Stacioneve Policore, ka qenë mjaft aktive gjatë javës së kaluar në terren.
Në vazhdën e implementimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion, gjatë periudhës nga 3 korriku deri më 9 korrik 2026, policia ka shqiptuar gjithsej 1,815 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut.
Përveç numrit të madh të gjobave, gjatë kësaj periudhe njëjavorë janë regjistruar dhe hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale si dhe 33 aksidente të tjera ku ka pasur persona të lënduar.
Sa i përket kundërvajtjeve specifike, policia ka ndërmarrë masa të rrepta ndaj shoferëve të papërgjegjshëm.
Gjatë javës u shqiptuan 26 gjoba për mos-përdorim të rripit të sigurisë, 30 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 15 gjoba për modifikim të jashtëligjshëm të automjeteve, përfshirë vendosjen e folieve të errëta në xhama.
Masa më e rëndë, ajo e ndalim-drejtimit të mjetit motorik (marrja e patentë shoferit), u shqiptua për 27 ngasës.
Një fokus i veçantë u është kushtuar edhe ngasësve të motoçikletave, ku u ndëshkuan 16 persona pa patentë shofer përkatës, 16 të tjerë për drejtim të motoçikletës pa regjistrim valid dhe 23 gjoba u dhanë për mos-mbajtje të helmetës mbrojtëse. Po ashtu, policia ka konfiskuar përkohësisht 11 motoçikleta.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Toger Ismet Hashani, ka drejtuar një apel të fuqishëm tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe t’u përmbahen rregullave ligjore.
Ai ka kujtuar se mosrespektimi i normave në rrugë kushton me jetë, shpejtësia vret, ndërsa kujdesi i shtuar nënkupton shpëtim jete për vete dhe për të tjerët.
