Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 24-30 korrik 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë shqiptuar gjithsej 1.994 gjoba për kundërvajtje në trafik.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar 40 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 19 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, janë shqiptuar 29 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 37 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, ndërsa ndaj 62 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë ngasësve që të respektojnë rregullat e trafikut, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurisë, të kenë kujdes ndaj këmbësorëve dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe semaforët.
