ARSIM/Fitore Malaj emërohet ushtruese e detyrës së Rektores në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme më 31 korrik 2026, ka emëruar profesoren Fitore Malaj ushtruese të detyrës së Rektores së këtij institucioni të arsimit të lartë.

​Vendimi u mor pas shqyrtimit dhe miratimit të dorëheqjes së rektorit të deritashëm, Artan Dërmaku, me ç’rast Këshilli Drejtues konstatoi përfundimin e mandatit të tij. Me qëllim të garantimit të vazhdimësisë institucionale dhe mbarëvajtjes së punës në universitet, organet udhëheqëse, nën kryesimin e Liza Rexhepit, vendosën t’ia besojnë drejtimin e përkohshëm profesoreshës Malaj.

​Fitore Malaj është docente në Fakultetin e Edukimit në UKZ dhe gëzon një përvojë të gjatë institucionale. Për gjashtë vjet me radhë ajo ka udhëhequr Zyrën për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, si dhe ka qenë anëtare themeluese e Këshillit Drejtues për pesë vjet, ku ka dhënë kontribut në hartimin e politikave strategjike të universitetit.

​Në fjalën e saj pas emërimit, u.d. Rektorja Malaj falënderoi Këshillin Drejtues për besimin e dhënë, duke nëvizuar se marrjen e kësaj detyre e konsideron mbi të gjitha përgjegjësi institucionale.

Ajo u zotua për angazhim maksimal në avancimin e proceseve akademike dhe ruajtjen e standardeve të arsimit në këtë universitet.

​Nga ana tjetër, Këshilli Drejtues shprehu mirënjohjen për kontributin e ish-rektorit Artan Dërmaku gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij, si dhe i uroi suksese drejtueses së re në përmbushjen e obligimeve akademike e ligjore të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Shpërndaj me të tjerët