Përmes disa pamjeve të postuara direkt nga fushat e Zhegrës së Karadakut, asambleisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Muhadin Haziri, ka hapur një diskutim të rëndësishëm mbi rolin e bujqësisë moderne në ditët e sotme.
Haziri ka theksuar se zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si punohet toka, duke e bërë procesin më të lehtë dhe shumë më efikas.
“Përdorimi i makinerive moderne dhe pajisjeve të avancuara jo vetëm që zvogëlon punën fizike, por gjithashtu rrit saktësinë dhe efikasitetin e punimeve në tokë. Si rezultat, krijohen kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bimëve dhe arritjen e prodhimeve më të larta dhe cilësore,” ka shkruar Haziri, duke shtuar se bujqësia mbetet shtylla kryesore që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve dhe forcimin e ekonomisë.
Megjithatë, mesazhi i asambleistit vjen në një kohë kur një sfidë e madhe po rëndon mbi fshatrat tona: braktisja e tokës.
Ndërsa teknologjia ofron mundësi që dikur as nuk imagjinoheshin, sot shihet një trend shqetësues ku sipërfaqe të tëra pjellore mbeten të papunuara.
Përvoja tregon se në ato raste kur fermerët tanë vendosin t’i kthehen tokës, rezultatet janë mbresëlënëse.
Toka e Anamoravës ka dëshmuar se kur punohet me përkushtim dhe mjete moderne, ajo jep rendimente që konkurrojnë çdo produkt importi.
Nëse kemi teknologjinë dhe kemi tokën e bekuar, na duhet vetëm vullneti për t’i shfrytëzuar këto potenciale”, ka shkruar.
Ringritja e ekonomisë sonë nis pikërisht këtu, te brazda e parë e punuar me mend dhe me mjetet e kohës.

