ARSIM/Njohësi i arsimit dhe shoqërisë civile, merr detyrën e zëvendësdrejtorit në “Zenel Hajdini”

I zgjedhur së fundmi zëvendësdrejtor  në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, Enver Këqiku sjell në këtë detyrë përvojë të gjatë si profesor i matematikës, interpretues i mirë i lëndës, trajner i akredituar dhe udhëheqës në arsim dhe në sektorin e organizatave joqeveritare.

Ai njihet si njohës i mirë i arsimit në përgjithësi dhe i shoqërisë civile, si dhe si përpilues dhe hartues i projekteve, ndërsa dallohet për karakter të mirë, qetësi, maturi dhe profesionalizëm.

Përveç shqipes amtare, ai flet dhe shkruan shkëlqyeshëm gjuhën serbe dhe shumë mirë gjuhën angleze.

Formimi akademik dhe studimet pasuniversitare

Në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Departamenti i Matematikës, mori diplomën e profesorit të matematikës më 9 korrik 1998, me notë mesatare 8.00.

Më 11 shtator 2012 u pajis me Licencën e Mësimdhënësit nga MASHT, ndërsa më 29 shtator 2018 përfundoi studimet Master të Arteve në Menaxhment në Kolegjin Universitar “Arbëri” në Gjilan, me notë mesatare 9.26.

Përvoja në mësimdhënie, menaxhim dhe sktorin joqeveritar

​Karrierën në arsim e nisi në vitet 1988–1990 në Gjimnazin “Sami Frashëri” (ish “Ivo Lola Ribar”) në Prishtinë dhe vazhdoi në vitet 1990–2001 në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Ka punuar në administratë dhe financa në CARE International – Kosova (25 gusht 2000 – 31 maj 2001) dhe UMCOR – Kosova (qershor – dhjetor 2001) në Gjilan, ndërsa nga janari 2002 deri në tetor 2026 ka qenë drejtor ekzekutiv i organizatës “Kosovo Center for International Cooperation” në Gjilan, me përgjegjësi për menaxhimin e organizatës, përpilimin, hartimin dhe menaxhimin e projekteve, kontraktimin, raportimin me donatorë, administratën dhe financat.

Në arsim ka ligjëruar edhe në “American School of Kosova” (ASK) në Prishtinë (tetor 2003 – mars 2004), në Shkollën Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan (shtator 2004 – gusht 2007) dhe sërish në Gjimnazin “Zenel Hajdini” (gusht 2007 – gusht 2026), deri në emërimin ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit në shtator 2026.

Trajnime vendore e ndërkombëtare dhe certifikime si trajner

​Ka ndjekur trajnime e programe vendore e ndërkombëtare për zhvillim institucional, dizajnim e menaxhim projektesh, financa bazike dhe integrime evropiane pranë Management for Development Foundation, NDI dhe KCSF, si dhe “International Visitor Leadership Program” të Departamentit Amerikan të Shtetit (prill 2010) dhe certifikimin ECDL në shtatë module (qershor 2011).

Në arsim është trajnuar me MASHT dhe partnerët e tij për didaktikë, Kurrikulën e Re, mendim kritik, rolin e kujdestarit të klasës, edukim medial, udhëheqje e planifikim strategjik dhe mësimdhënie të gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa është certifikuar edhe si trajner nga GIZ/MASHT (për udhëheqje arsimore dhe mësimdhënie të matematikës e gjeometrisë) dhe nga KCIC/DKA Gjilan për Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve.

Mirënjojje dhe vlerësime institucionale

​Është nderuar me mirënjohje nga “Union Plus” në Gjilan për detyrat në Olimpiadën Matematike (24 prill 2010), organizimin e garave komunale në matematikë (20 prill 2011) dhe mbështetjen profesionale e organizative të tyre (20 mars 2012), nga Komuna e Gjilanit / DKA për kontributin në Olimpiadën Matematike në vitet 2013 (23 shkurt), 2014 (22 shkurt), 2015 (21 shkurt) dhe 2016 (27 shkurt), si dhe nga Gjimnazi “Zenel Hajdini” më 15 maj 2015 dhe 21 qershor 2021.

​Me formim të gjerë akademik, përvojë të gjatë në mësimdhënie e menaxhim organizativ dhe përkushtim të dëshmuar në arsim e shoqëri civile, angazhimi i tij si zëvendësdrejtor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” vjen si vazhdimësi e natyrshme e një pune të qëndrueshme dhe profesionale në shërbim të arsimit./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët