Pas shumë vitesh mungese, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës ka nisur shpërndarjen e pakos së parë të pajisjeve multifunksionale për printim, skanim dhe kopjim në institucionet arsimore.
Furnizimi ka filluar sot me grupin e parë të shkollave, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë javës së ardhshme për të mbuluar çdo shkollë të komunës.
Përveç shkollave amë, me pajisje të reja do të furnizohen edhe dy paralelet e ndara në Kopërnicë dhe Shipashnicë, si dhe dy çerdhet komunale.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, ky investim synon rritjen e efikasitetit në punën administrative dhe krijimin e kushteve më të mira e më moderne të punës për stafin arsimor, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionalizimin e mëtejshëm të shkollave.
