SHËNDETËSI/QKMF “Dr. Nagip Rexhepi” forcon masat për kontrollin dhe përdorimin e antibiotikëve

Njoftim me rëndësi nga Shëndetësia në Gjilan

​Pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, është mbajtur takimi i radhës i Ekipit të Kujdestarisë së Antibiotikëve.

Ky takim u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për zbatimin e Procedurës Standarde të Operimit lidhur me menaxhimin dhe kontrollin e përdorimit të barneve antimikrobike në kujdesin parësor shëndetësor.

​Gjatë këtij takimi, anëtarët e ekipit shkëmbyen mendime dhe përcaktuan udhëzimet kryesore lidhur me përdorimin sa më racional, të matur dhe të sigurt të antibiotikëve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua monitorimit të rregullt të përshkrimit të këtyre barnave nga mjekët e familjes, si dhe marrjes së masave parandaluese ndaj dukurisë shqetësuese të rezistencës antimikrobike.

​Gjithashtu, u përcaktuan qartë përgjegjësitë individuale dhe detyrat e përbashkëta të personelit shëndetësor për zbatimin e mëtutjeshëm të këtyre masave.

Përmes këtij angazhimi, institucioni synon të sigurojë një shërbim sa më cilësor për pacientët dhe të mbrojë shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve nga përdorimi i pamatur i medikamenteve.

Shpërndaj me të tjerët