Ka dalë sot nga shtypi libri më i ri studimor me titull “Tekstet mësimore të shkollës së parë shqipe në Stubëll – Këndimet dhe Numëratoret”, me bashkautorë studiuesit Prof. Sarë Gjergji dhe Prof. Habib Rexhepi.
Kjo vepër sjell në shqyrtim tekstet mësimore me të cilat Dom Mikel Tarabulluzi, mësuesi i parë i shkollës shqipe në Stubëll, punoi me nxënësit e tij, duke ndriçuar kështu një kapitull të çmuar të historisë sonë arsimore dhe kulturore.
Autorët kanë shprehur mirënjohje të veçantë për redaktorin e librit, Prof. Emer. Merxhan Avdyli, për kujdesin e treguar gjatë të gjithë procesit të përgatitjes, si dhe për SHIHK “Stublla” në Zvicër për mbështetjen financiare që mundësoi botimin e tij.
Botimi i këtij libri vjen në një moment të ndjeshëm, nën peshën e zhvillimeve të fundit në Hagë.
Për këtë arsye, autorët ia kanë dedikuar këtë vepër çlirimtarëve të Kosovës, në shenjë nderimi për sakrificën e tyre dhe historinë mbi të cilën është ndërtuar liria e vendit.
Libri konsiderohet një kontribut i rëndësishëm për kujtesën historike, arsimin dhe ruajtjen e rrënjëve kombëtare.
