Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë në spitalin e Gjenevës në Zvicër veprimtari i çështjes kombëtare, Mehmet Rashiti, me origjinë nga fshati Livoç i Komunës së Gjilanit.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur bashkëveprimtari dhe shoku i tij i afërt, Ismet Rashiti, i cili përmes një mesazhi prekës ka evokuar kujtimet dhe veprimtarinë e përbashkët atdhetare.
”Sot, në orët e para të mëngjesit, mora lajmin e hidhur se në spitalin e Gjenevës paska ndërruar jetë shoku im i dashur dhe bashkëveprimtari i ditëve më të vështira, Mehmet Rashiti. Me Mehmetin kemi qenë të pandarë në jetë dhe në veprimtarinë atdhetare,” ka shkruar ai.
Mehmet Rashiti shquhet për kontributin e tij të madh në lëvizjen ilegale dhe organizimin e mërgatës shqiptare. Ai ka qenë anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), anëtar i celulës së Degës së OMLK-së në Zvicër, anëtar i Komitetit Drejtues të LPRK-së për Zvicrën frankofone, si dhe anëtar i redaksisë së gazetës «Zëri i Kosovës» dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së.
Në dedikimin e tij, Ismet Rashiti ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe:
”Sot në mëngjes paske shkuar, shoku im, pa më treguar. Ike, duke më lënë të pikëlluar e me lot për faqe, por e gjallë do të mbetet vepra jote e madhe atdhetare. Të paharruara do të jenë kujtimet e shumta, shoku im Mehmet, që më je gjendur pranë në gëzime dhe hidhërime, atëherë kur kisha më së shumti nevojë!”
Në përmbyllje të mesazhit, ai i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Rashiti në Livoç dhe në Zvicër, duke lartësuar figurën e të ndjerit: “I përjetshëm qoftë kujtimi për ty! Lavdi!”.
