ANALIZË/Psikopatia në shoqëri dhe profili i personaliteteve grabitqare në jetën e përditshme

Manipuluesit më të rrezikshëm dhe profilizimi i sjelljeve grabitqare në shoqëri kanë qenë në fokus të një vështrimi profesional të sjellë nga rektorja e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, prof. dr. Fitore Malaj.

​Përmes kësaj analize, theksohet se njerëzit me tipare psikopatike jo nevojisht gjenden pas grilave, por mund të jenë pjesë e përditshmërisë sonë, në ambiente pune, shkolla apo institucione të ndryshme sociale e fetare.

​Ndërsa njohuritë tradicionale mbi psikopatinë janë bazuar kryesisht në listën e Robert Hare-it të vitit 1980 nga studimi i të burgosurve, hulumtimet e fundit shkencore po ia përshtatin këtë koncept psikopatëve që jetojnë “normalisht” mes nesh.

​Në këtë kuadër, studiuesja australiane Dr. Karen Mitchell (2024), përmes një hulumtimi me 57 ekspertë me përvojë shumëvjeçare, përfshirë agjentë të FBI-së, psikologë, punonjës socialë dhe drejtues gjyqësorë e fetarë, ka ndërtuar modelin e “personalitetit grabitqar të vazhdueshëm”.

​Sipas këtij studimi, ky profil nga jeta e përditshme përbëhet nga 20 tipare kryesore, ku ndër më të rrezikshmet identifikohen nevoja absolute për kontroll mbi të tjerët, dëshira për hakmarrje dhe mizoria, gënjeshtra e vazhdueshme, mbajtja e një fasade normaliteti, si dhe mungesa e plotë e empatisë dhe e pendesës./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët