Nga Musah Rahimi
Në 80-vjetorin e lindjes kujtohet veprimtaria artistike dhe jeta e valltarit të njohur nga Stançiqi i Karadakut, Xhemajl Ramiz Rahimi (1 nëntor 1946 – 22 qershor 2020), një prej emrave më të shquar të valles burimore shqiptare.
Xhemajli lindi në Stançiq, si fëmija i parë i Ramizit dhe Mehrijes. Dashuria e tij për vallen popullore lindi që në moshën tetëvjeçare, kur përmes melodisë së fyellit në kodrat e Karadakut dhe përcjelljes së valltarëve nëpër dasma, nisi të gdhendte talentin e tij të rrallë.
Ai ishte bashkëthemelues i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Bajram Curri”, ku kontribut të çmuar dhanë edhe vëllezërit e tij, Qamili, Selmani dhe Musahu, i cili e shoqëroi në skenë për rreth tre dekada si bashkëvalltar.
Me SHKA “Bajram Curri”, Xhemajl Rahimi përfaqësoi me dinjitet vlerat folklorike të trevës sonë në Kosovë dhe në skena ndërkombëtare, si në Festivalin e Folklorit në Zagreb.
Ndër kulmet e karrierës së tij artistike mbetet pjesëmarrja në Festivalin Mbarëkombëtar të Gjirokastrës, ku u vlerësua si valltari më i mirë nga të gjitha trojet shqiptare, duke u nderuar me vendin e parë.
Krahas me skenën artistike, ai shërbeu me përkushtim edhe në arsim, duke punuar në shkollën “Bajram Curri” në paralelet e ndara në Stançiq dhe më pas në shkollën amë në Shurdhan.
Ndonëse më 22 qershor 2020 pandemia ia ndërpreu jetën, trashëgimia e tij artistike mbetet e gjallë në historinë e kulturës sonë kombëtare.
Në këtë përvjetor jubilar, vëllai dhe bashkëvalltari i tij Musah Rahimi e kujton me mall e krenari figurën e tij, duke vlerësuar lart kontributin e pashlyeshëm që la pas për artin dhe traditën shqiptare./dita24h/
