IN MEMORIAM/​7 vjet pa gazetaren Ardita Sylejmani-Bllaca, prindërit me dedikim prekës

Nëntëmbëdhjetë shtatori i vitit 2019 mbetet një nga ditët më të dhimbshme për familjen dhe mediat në Kosovë.

Sot bëhen shtatë vjet nga ndarja nga jeta e gazetares së Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ardita Sylejmani-Bllaca, e cila ndërroi jetë në një spital në Budapest të Hungarisë, pak pasi solli në jetë vajzën e saj të posalindur, Gretën.

​Në këtë përvjetor të dhimbshëm, prindërit e saj e kanë kujtuar vajzën e tyre të vetme me fjalë mbushur me dashuri, mall e pikëllim, duke theksuar se koha nuk e ka zbehur dhimbjen për të.

​”Më 19 shtator 2019, në Budapest të Hungarisë, zemrat tona u copëtuan për gjithmonë. Atë ditë u shua jeta e vajzës sonë të vetme, Arditës. Shtatë vite kanë kaluar, por dhimbja për ty nuk është zbehur. Ka ditë që duket sikur sapo të kemi parë, sikur do të hapej dera dhe ti do të hyje me atë buzëqeshjen tënde të ëmbël… Ti ishe drita e shtëpisë sonë, krenaria dhe gëzimi ynë. Askush dhe asgjë nuk mund ta mbushë vendin që le bosh,” janë shprehur prindërit e saj.

​Ardita Sylejmani-Bllaca kujtohet nga kolegët dhe publiku si një gazetare e përkushtuar, e dashur dhe me përbarim të lartë njerëzor e profesional.

​Tragjedia e ikjes së saj të hershme bëhet edhe më e dhimbshme për faktin se ajo nuk arriti të gëzojë rritjen e fëmijëve të saj.

​”Më e dhimbshmja është se ti u ndave nga kjo botë duke sjellë në jetë Gretën. Nuk pate mundësi ta rrisje, ta shihje duke hedhur hapat e parë, duke shkuar në shkollë e duke festuar ditëlindjet. Por Greta, Narti dhe Liza do ta mbajnë gjithmonë emrin dhe dashurinë e nënës së tyre në zemër,” thuhet në përkujtimin e familjes.

​Pavarësisht viteve që kalojnë, kujtimi për Arditën mbetet i gjallë te të gjithë ata që e njohën.

​”Sot, në 7-vjetorin e ikjes sate, nuk të kujtojmë vetëm me lot, por me dashurinë që na fale, me buzëqeshjen, mirësinë dhe çdo kujtim të bukur që na ke lënë. Na mungon çdo ditë si bijë, si nënë dhe si njeri. Prehu e qetë, bija jonë e shtrenjtë, sa të kemi jetë nuk do të vdesësh kurrë në zemrat tona,” përmbyllin prindërit e saj dedikimin prekës.

Shpërndaj me të tjerët