Një qytetar i Gjilanit, infektologu Dr. Armend Rexhepi, i ka drejtuar një thirrje publike urgjente Komunës së Gjilanit dhe institucioneve përgjegjëse, duke ngritur me shqetësim serioz rrezikun konstant nga numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qytetit.
Rexhepi ka bërë të ditur se vetëm ai personalisht është sulmuar gjashtë herë nga qentë endacakë gjatë orëve të hershme të mëngjesit, kur po udhëtonte për në punë.
Kjo situatë, sipas tij, ka krijuar një ndjenjë të thellë pasigurie dhe frike për të lëvizur lirshëm nëpër qytet.
”Qentë endacakë nuk janë vetëm një shqetësim për qytetarët e rritur, por paraqesin rrezik të veçantë edhe për fëmijët, të moshuarit dhe të gjithë këmbësorët,” ka theksuar ai, duke shtuar se frika është bërë e pranishme edhe gjatë përcjelljes së fëmijëve për në kopsht.
Përmes këtij reagimi, i bëhet thirrje e drejtpërdrejtë organeve komunale që të ndërmarrin masa konkrete dhe urgjente, në përputhje me ligjin dhe standardet e mirëqenies së kafshëve, për menaxhimin, largimin nga zonat e banuara dhe strehimin e qenve endacakë që paraqesin rrezik për sigurinë publike.
”Nuk duhet të presim që të ndodhë një incident i rëndë që ky problem të trajtohet me seriozitetin e duhur. Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet,” përfundon thirrja drejtuar Komunës së Gjilanit. /dita24h/
