Drita nuk ka arritur ta vazhdojë serinë e fitoreve radhazi, pasi sot në Gjilan është mposhtur nga Prishtina me rezultat 1:2.
Kjo ishte ndeshja e mbetur e javës së dytë të Superligës së Kosovës në futboll, në të cilën skuadra mysafire arriti të hakmerret për humbjen e thellë 3:0 që kishte pësuar nga Drita javën e kaluar në Hajvali.
Ndryshe nga ndeshja e kaluar, kësaj radhe Prishtina u tregua shumë më këmbëngulëse, më e përqendruar dhe më efikase, duke arritur të marrë tri pikët në Gjilan.
Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e 7-të, kur Blend Baftiu, me një goditje nga afërsia, shënoi për 0:1.
Drita reagoi në minutën e 19-të, kur Blerim Krasniqi, pas një aksioni të bukur të skuadrës vendase, realizoi për 1:1.
Megjithatë, në minutën e 52-të, Prishtina riktheu epërsinë. Kësaj radhe ishte Ardian Hasani, i cili me kokë shënoi për rezultatin 1:2, që doli të ishte edhe rezultati përfundimtar i takimit.
Kështu, Drita pëson humbje në shtëpi dhe ndërpret serinë e fitoreve, ndërsa Prishtina largohet nga Gjilani me tri pikë të rëndësishme./dita24h/
