ARSIM/UP “Kadri Zeka” mikpret delegacionin arsimor nga Zvicra në kuadër të Javës së Studimit

GJILAN, 4 Nëntor 2026  — Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, prof. ass. dr. Fitore Malaj, së bashku me ekipin e saj drejtues, priti në takim një delegacion mësimdhënësish nga shkollat e Zvicrës, të kryesuar nga Shpresa Jashari, pedagoge dhe hulumtuese në Universitetin e Edukimit të Mësuesve të Zugut (PH Zug).

Kjo vizitë po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve UKZ dhe PH Zug Zvicër.

​Me këtë rast, Rektorja Malaj u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve dhe shprehu kënaqësinë për vazhdimin e partneritetit. Ajo theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” i kushton rëndësi të veçantë zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e arsimit, përfshirjes dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

Rektorja nënvitzoi se ky bashkëpunim ka rëndësi jo vetëm akademike, por edhe kulturore e njerëzore, duke pasur parasysh lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

​Rektorja Malaj u shpreh se universiteti ka nevojë të vazhdojë të ndërtojë dhe të fuqizojë ura bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare, duke promovuar gjithëpërfshirjen, shkëmbimin e praktikave të mira dhe ruajtjen e traditave e të identitetit kulturor.

Ajo shtoi se Zvicra ka qenë një vend mik që e ka mbështetur Kosovën edhe në periudhat më të vështira, përfshirë kohën e luftës, prandaj bashkëpunimi me institucionet zvicerane ka një vlerë të veçantë për zhvillimin e arsimit dhe të gjeneratave të reja.

​Nga ana e tyre, mësimdhënësit nga Zvicra falënderuan Rektoren Malaj për pritjen dhe vlerësuan mundësinë për të qenë pjesë e këtij bashkëpunimi.

Ata theksuan se shkëmbimi i përvojave ndërmjet mësimdhënësve nga Kosova dhe Zvicra krijon mundësi të rëndësishme për zhvillim profesional, njohje të qasjeve të ndryshme pedagogjike dhe forcim të lidhjeve ndërmjet dy komuniteteve arsimore.

​Gjatë kësaj jave, mësimdhënësit zviceranë, në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Gjilani, po ndajnë përvoja, ide dhe praktika mësimore përmes punëtorive, diskutimeve profesionale, vizitave shkollore dhe ligjëratave akademike në UKZ.

Në qendër të programit të këtij edicioni është vëzhgimi kolegial, përmes të cilit mësimdhënësit nga Zvicra vizitojnë shkollat e rajonit për të përcjellë nga afër procesin mësimor në klasë dhe për të reflektuar së bashku mbi metodologjitë e mësimdhënies e ndërveprimin me nxënësit.

​Përveç vëzhgimit kolegial, programi përfshin punëtori tematike dhe prezantime studimore.

Në kuadër të këtyre aktiviteve, Betim Berisha prezantoi temën mbi bashkëpunimet, mobiliteti dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të UKZ-së,  Kosovare Rahimi paraqiti praktikat pedagogjike të mësimdhënësve në shkollat e Kosovës nga përgatitja universitare deri te përvoja në shkollë, ndërsa Amira McNeil solli përvojat pedagogjike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktivitetet e përbashkëta ndërmjet dy institucioneve do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim me synim nxitjen e shkëmbimit profesional dhe ndërkulturor. /dita24/

Shpërndaj me të tjerët