Bëhen homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Zhegoc dhe Kishnapole
Kanë vazhduar aktivitetet në shënim të “Epopesë së UÇK-së – Beteja e Zhegocit”.
Përfaqësues nga Komuna e Gjilanit, nën organizimin e kryetarit Alban Hyseni, së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Zhegoc dhe në Kishnapole.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se sot, së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në këto komplekse përkujtimore.
“Në këtë përvjetor të ‘Betejës së Zhegocit’, kujtojmë me përulësi sakrificën e pashoq të atyre që dhanë gjithçka për lirinë që gëzojmë sot”, tha Hyseni.
Kreu i Gjilanit bëri të ditur se gjatë ditës, në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së – Beteja e Zhegocit”, janë zhvilluar disa aktivitete në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, përfundoi Hyseni
