Alisa Sinani, sulmuesja gjilanase që po mahnit Gjermaninë, merr ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës
Një yll i ri po ndriçon në futbollin e femrave në Gjermani, dhe ajo ka rrënjë të forta nga Gjilani.
Alisa Sinani, sulmuesja 21-vjeçare e Bayer Leverkusen (ekipi U23), po kalon një sezon thjesht të jashtëzakonshëm, duke u kthyer në makth për portat kundërshtare.
Statistikat e saj këtë vit janë vrastare: në vetëm 18 ndeshje të zhvilluara, ajo ka tundur rrjetën plot 28 herë.
Ky shpërthim i madh nuk ka kaluar pa u vënë re nga Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës për vajza, Sami Sermaxhaj, i cili tashmë i ka dërguar ftesë zyrtare dhe Alisa do t’i bashkohet ekipit “Dardan” për ndeshjet e radhës.
“Para portës jam e ftohtë”
E lindur dhe e rritur në Keln të Gjermanisë, Alisa e përshkruan me vetëbesim stilin e saj të lojës: “Jam e ftohtë para portës”.
Edhe pse pranon se nuk e kishte imagjinuar një ritëm kaq të lartë golash, ajo ia faturon këtë sukses edhe cilësisë së lartë të ekipit të Leverkusenit dhe kushteve profesionale e elitare që ofron klubi.
“Jam shumë ambicioze, kam ende objektiva përpara”, thotë ajo, duke shprehur qartë synimin për t’u afruar me ekipin e parë të Leverkusenit dhe për t’u matur me më të mirat e këtij sporti.
Nga ligat rajonale në elitë
Përpara se të kalonte te Bayer Leverkusen U23, rruga e Alisës ka qenë e mbushur me gola në ligat rajonale gjermane:
Ka luajtur fillimisht në Bezirksliga për ekipin Spiel und Sport 1912 Nippes, ku shpërtheu me 40 gola. Shënoi edhe 18 gola të tjerë me klubin DJK Südwest Köln.
U shndërrua në një nga sulmueset më të rrezikshme në Frauen-Regionalliga West (liga e tretë rajonale), duke qenë pretendente kryesore për “Torjägerkanone” (çmimin e golashënueses më të mirë).
Përveç rolit si futbolliste aktive, Alisa Sinani jep kontribut në futboll edhe si ndihmëstrajnere te ekipi SC West Köln.
Me ftesën e marrë nga Kosova, sulmuesja me prejardhje nga Gjilani pritet të jetë një vlerë e shtuar dhe një armë e fortë për sulmin e përfaqësueses sonë.
Ajo u shpreh se ndihet shumë e lumtur dhe e emocionuar që është ftuar të luajë për Kosovën, vendlindjen e prindërve të saj dhe se mezi pret të bashkohet me ekipin dardan në grumbullimet e radhës.
Dardanet do të përballen me Kroacinë si vendase në Prishtinë dhe me Gjibraltarin si mysafire, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet më 9 qershor në Gjibraltar.
Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibralta

