Hapet zyra për të huaj në Gjilan, lehtësi për qytetarët e Luginës dhe rajonit
Në Gjilan është hapur Zyra për të Huaj në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, e cila pritet të lehtësojë ndjeshëm procedurat për qytetarët e rajonit.
Sipas koordinatorit të zyrës për Preshevë në kuadër të Zyrës së Kryetarit, Enver Haziri, kjo zyrë u mundëson qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët kanë vendbanim në Anamoravë, si dhe qytetarëve nga pjesë të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në trekëndëshin kufitar, të aplikojnë për lejeqëndrim në Gjilan.
Ai theksoi se hapja e kësaj zyre është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët dhe vjen pas përpjekjeve disa vjeçare.
“Për tri vite me radhë nuk kemi lënë derë pa trokitur për hapjen e kësaj zyre,” ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, kjo iniciativë do të jetë një ndihmë e madhe për qytetarët e Luginës, duke ua lehtësuar procedurat si në aspektin kohor, ashtu edhe në atë ekonomk.
