Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, është pritur në takim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Prokurorisë Themelore, me fokus koordinimin në rastet që lidhen me emergjencat, mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin e obligimeve ligjore.
Shabani vlerësoi rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë Themelore është i domosdoshëm për një reagim sa më efikas në situata emergjente dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin institucional, me synim rritjen e koordinimit dhe efikasitetit në përballimin e situatave emergjente, gjithmonë në shërbim të qytetarëve.
