Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka takuar sot, me rastin e shënimit të Ditës së Veteranëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfshirë OVL-në e UÇK-së.
Gjatë këtij takimi, kryetari Hyseni ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka kjo datë për qytetarët e Kosovës, duke kujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“Në Ditën e Veteranëve, pata nderin t’i takoj familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës dhe shoqatat e OVL-së së UÇK-së. Kjo datë na rikujton sakrificat dhe angazhimin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se respekti dhe mirënjohja për veteranët, dëshmorët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbeten të përhershme, duke ritheksuar përkushtimin institucional për mbështetje të vazhdueshme ndaj tyre.

