KULTURË/Memet Iseni, zëri i fuqishëm i folklorit nga Malësia e Bujanocit që me këngën e tij bashkoi trevat shqiptare

Historia e muzikës popullore dhe folklorit në rajonin e Anamoravës dhe Malësisë së Bujanocit është e mbushur me talentë të rrallë, por emri i Memet Isenit mbetet i veçantë.

I pajisur me një talent të lindur dhe një zë natyralisht të lartë e unik, rrugëtimi i tij artistik është një dëshmi e përkushtimit ndaj ruajtjes së traditës dhe këngës origjinale shqipe.

Hapat e parë drejt muzikës dhe fëmijëria

I lindur në vitin 1955 në fshatin Novosellë të Malësisë së Bujanocit, Memet Iseni e shfaqi dashurinë për këngën që në moshë mjaft të re.

Inicimi i tij i parë në skenë erdhi krejt natyrshëm gjatë shkollimit fillor: ishte mësuesi i tij në Dobërçan ai që e vërejti zërin e tij të veçantë që në klasën e dytë dhe e nxiti të këndonte para bashkënxënësve.

Në vitin 1963, familja e tij u shpërngul nga Novosella për t’u vendosur në Petrovc (sot i njohur si Petrit).

Megjithatë, ndryshimi i vendbanimit nuk e zbehu pasionin e tij. Gjatë gjithë viteve të shkollimit, Memeti u angazhua aktivisht në korin e shkollës dhe në koncerte të ndryshme rinore, ku spikaste përherë me interpretimet e tij.

Frymëzimi nga Radio Kukësi dhe hiti i parë në Radio Gjilan

Për të ushqyer dashurinë e tij për folklorin, Memeti dëgjonte me vëmendje të madhe emisionet e Radio Kukësit, nga ku merrte frymëzim prej këngëtarëve më të njohur të Shqipërisë së asaj kohe.

Si një autodidakt i talentuar, ai jo vetëm që mësoi shpejt një numër të madh këngësh tradicionale, por filloi të kompozonte edhe vetë melodi të reja.

Pika e kthesës në karrierën e tij ndodhi ditën kur ai mori rrugën për në Gjilan, duke trokitur në dyert e Radio Gjilanit (që atëherë operonte në objektin e zjarrfikësve).

Pasi u shpjegoi përgjegjësve të muzikës qëllimin e vizitës, ata arritën marrëveshje për regjistrimin e 7 këngëve të tij të para folklorike.

Vetëm dy javë më vonë, këngët e tij filluan të transmetoheshin në valët e radios, duke i dhënë atij një njohje të menjëhershme.

Këngët si “Moj ti çikë në këmishë të bardhë”, “Heronjtë e Vigut” dhe “Asim Vokshi” u shndërruan shpejt në hite të padiskutueshme të kohës.

Sfidat në oda dhe prova e parë në Drenicë

Pas suksesit në radio, kërkesat për ta pasur Mehmetin nëpër dasma e gëzime familjare u rritën me shpejtësi.

Fillimisht ai këndonte vetëm, ndërsa më vonë u bë bashkë me këngëtarin e njohur Avdi Latifi nga Zhegra, me të cilin ndërtuan një bashkëpunim të gjatë e të suksesshëm.

Një prej ngjarjeve më interesante të fillimit të karrierës së tij mbetet ftesa për të kënduar në një dasmë në Drenicë, e bërë nga një mik i tij i studimeve.

Memeti hezitonte pasi e dinte se Drenica njihej për rapsodë e “shahirë” të fortë dhe si i ri pa përvojë kishte frikë se nuk do t’i përmbushte pritshmëritë.

Kur mbërriti në shtëpinë e dasmës para kohës, i zoti i shtëpisë , një plak i urtë e i shtyrë në moshë – e pyeti të birin nëse kishte arritur këngëtari.

Kur pa Memetin e ri, plaku mbeti i habitur dhe tha me dyshim: “Po i ri bre qenka, vështirë se mundet me kënduar!”.

Megjithatë, ai i kërkoi Memetit të këndonte dy apo tri këngë aty për aty për ta testuar. Mehmeti zgjodhi këngën e Ahmet Delisë dhe gjatë interpretimit ngriti zërin me të gjithë fuqinë e tij natyrore.

Plaku, i mahnitur nga forca  e zërit dhe stili i këndimit, e ndërpreu me respekt duke i thënë: “Mjaft, se shumë mirë qenka!”, duke i hapur kështu rrugën një mbrëmjeje të paharrueshme.

Arsimimi, veprimtaria në SHKA “Kosova” dhe kontributi në arsim

Pas përfundimit të gjimnazit, Memet Iseni regjistroi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike (SHLP) në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Paralelisht me studimet, ai u inkuadrua në Shoqërinë Kulturore Artistike “KOSOVA” në Prishtinë, e cila udhëhiqej nga rapsodi i njohur Demir Krasniqi, duke pasuruar edhe më tej përvojën e tij skenike.

Përveç kontributit artistik, Memeti ka dhënë një ndihmesë të çmueshme edhe në arsimimin e brezit të ri.

Ai ka punuar si mësimdhënës në shkollat e fshatrave Dobrosin dhe Zarbicë të Bujanocit, duke u brumosur nxënësve dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare.

Repertori prej 2000 këngësh dhe jetesa mes Gjilanit e Zvicrës

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Memeti ka kënduar në të gjitha trevat shqiptare, por siç shprehet edhe vetë, mikpritjen dhe atmosferën më të ngrohtë e ka përjetuar në Anamoravë dhe në anën e Preshevës e Bujanocit.

Në repertorin e tij artistik numërohen më tepër se 2000 këngë të ruajtura dhe të interpretuara ndër vite.

Sot, ai është në pension dhe e ndan jetën e tij mes Gjilanit dhe Zvicrës.

Edhe pse në moshë më të shtyrë, pasioni për këngën nuk u zbeh kurrë.

Në Zvicër, së bashku me këngëtarin tjetër të njohur gjilanas, Isuf Rashitin, ata kanë studio-incizimi ku vazhdojnë të krijojnë e të regjistrojnë materiale të reja muzikore.

Projekti i tij më i fundit i dedikohet bashkëvendësit të tij, Ilmi Ramadanit, një figures së shquar dhe luftëtar i lirisë, duke vërtetuar se zëri i Memet Isenit vazhdon t’i këtërojë me krenari heronjtë dhe historinë kombëtare.

Shpërndaj me të tjerët