Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ka publikuar raportin e punës për vikendin që lamë pas, gjatë të cilit është regjistruar një fluks i lartë i pacientëve që kanë kërkuar kujdes dhe ndihmë mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, përgjatë kësaj periudhe stafi shëndetësor ka realizuar gjithsej 515 kontrolle mjekësore.
Nga ky numër i përgjithshëm vizitash, 27 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtutjeshëm spitalor, ndërsa janë regjistruar edhe 5 transfere sipas nevojave mjekësore.
Aktiviteti mjekësor ka vazhduar me dinamikë të lartë edhe në repartet e tjera specifike. Në sektorin e obstetrikës janë regjistruar 11 lindje, ndërsa stafi kirurgjik ka kryer me sukses 7 operacione.
Po ashtu, punë e madhe është bërë edhe në shërbimin e diagnostikës e radiologjisë, ku janë realizuar 113 rëntgena, 36 tomografi kompjuterike (CT) si dhe 36 ekografi (ultra zëra).
Nga drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan është bërë e ditur se synimi kryesor i institucionit mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë në të gjitha shërbimet.
Stafi mjekësor mbetet në gatishmëri të plotë 24/7 për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim të lartë.
