Në qytetin e Gjilanit është inauguruar sot objekti i ri i Këshillit të Bashkësisë Islame, një investim me rëndësi të veçantë i financuar nga Shteti i Katarit.
Ky projekt synon krijimin e kushteve bashkëkohore për mbarëvajtjen e veprimtarive fetare, arsimore, kulturore dhe shoqërore në këtë rajon.
Në ceremoninë solemne morën pjesë krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal, zyrtarë të lartë nga Shteti i Katarit, si dhe të ftuar të tjerë.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, nënvizoi se angazhimi i Bashkësisë Islame shtrihet në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
AI shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Katarit në forcimin e infrastrukturës fetare e komunitare në vend.
Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim ef. Aliu, dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vlerësuan se ky objekt modern do t’i shërbejë të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve, duke lehtësuar shërbimet dhe aktivitetet e përditshme.
Ambasadori i Katarit në Tiranë, z. Jabor Ali Hussein al Hawashela al Dosari, si dhe drejtori i Çështjeve Fetare në Ministrinë e Vakëfeve të Katarit, Muhamed al Menai, shprehën kënaqësinë për realizimin e këtij projekti. Zyrtarët bënë të ditur se objekti është katërkatësh, shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 5 mijë metrash katrorë dhe kap vlerën e investimit prej më shumë se 2 milionë eurosh.
Inaugurimi i këtij kompleksi shënon një hap tjetër përpara në përmirësimin e shërbimeve për komunitetin dhe dëshmon vazhdimësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shtetit të Katarit.
