Gjilan – Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Arbër Ismajli, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj pushtetit lokal për menaxhimin e qytetit, duke e cilësuar gjendjen aktuale si një “katrahurë urbane” dhe pa planifikim.
Përmes një reagimi, Ismajli ka ngritur shqetësimin për bllokadën në trafik, punimet e paplanifikuara në rrugë dhe mungesën e projekteve të përfunduara madhore gjatë pesë viteve të qeverisjes aktuale.
”Gjilani sot është shembulli më i mirë se si nuk duhet të qeveriset një qytet. Rrugët hapen e mbyllen brenda një viti nga katër herë, pa planifikim, pa koordinim dhe pa asnjë përgjegjësi. Bllokadë totale, kaos në trafik dhe qytetarët që çdo ditë po e paguajnë çmimin e kësaj papërgjegjësie,” ka deklaruar Ismajli.
Ai ka rikujtuar se LDK ka paralajmëruar me kohë për mospasjen e një plani të qëndrueshëm nga pushteti komunal, duke theksuar se pas pesë vitesh në drejtim të qytetit, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret apo projekt madhor të përfunduar.
Sipas Ismajlit, sfidë shtesë mbetet edhe përballja e qytetit me kushtet atmosferike, ku sipas tij, mjaftojnë pak të reshura shiu që Gjilani të përballet me vështirësi të mëdha qarkullimi.
“Paramendojeni çka do të ndodhë kur të vijë dimri, me reshje më të dendura, baltë, ujë e rrugë të pakalueshme. Jemi bërë shembulli më i keq në nivel Republike i katrahurës urbane — katrahurë kjo, të cilën nuk e kemi parë asnjëherë viteve të fundit,” nënvizoi ai.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Ismajli tha se qytetit dhe qytetarëve të Gjilanit u nevojitet planifikim, përgjegjësi dhe punë të kryera si duhet, duke shtuar se “qytetarët nuk e meritojnë dhe nuk ia kanë pasur borxh këtë gjendje kujt”.
