​MJEKËSI/ Mbi 2 mijë kontrolle për Luginën në Spitalin e Gjilanit

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka pritur sot në takim drejtuesit dhe përfaqësuesit e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit: Dr. Afrim Cana, Dr. Nezir Demolli, Dr. Veprim Presheva dhe Kryeinfermieren Sada Ismaili.

​Gjatë takimit u vlerësua angazhimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti janë kryer 2,050 kontrolle mjekësore dhe 180 hospitalizime të pacientëve nga Lugina e Preshevës në këtë spital.

​Duke falënderuar stafin mjekësor dhe infermieror për mbështetjen e vazhdueshme, kryetarja Sinani theksoi se pas këtyre shifrave qëndron përkushtimi, profesionalizmi dhe zemërgjerësia e një ekipi që i ka mbajtur gjithmonë dyert të hapura për pacientët dhe familjet e tyre.

​“Kur zemërgjerësia shpëton shëndet e jetë, mirënjohja është e pakufishme! Faleminderit për çdo pacient të trajtuar, për çdo familje të ndihmuar dhe për çdo derë të hapur! Gjilani po dëshmon se solidariteti nuk njeh kufij!”, u shpreh Sinani./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët