Nis projekti “Nga errësira në dritë” për vetëdijesimin e të rinjve

Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, ka pritur në një takim zyrtar Majorin Ramadan Ahmeti nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim (DPP) në Prishtinë, si dhe togerin Fatos Latifi nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan.

Në qendër të këtij takimi ishte prezantimi i projektit “Nga errësira në dritë”, një nismë që synon të përdorë fuqinë e artit për të luftuar dukuritë negative në shoqëri, me fokus të veçantë parandalimin e përdorimit të drogave tek të rinjtë.

Projekti, i cili do të zbatohet gjatë muajve prill dhe maj 2026, do të realizohet në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati”.

Përmes pikturave, dizajnit në tekstil dhe formave të tjera kreative, nxënësit do të promovojnë mendimin kritik dhe zgjedhjet e shëndetshme për jetën.

Ky bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe DKA-së në Gjilan vlerësohet si një hap i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit, duke i inkurajuar ata që talentin e tyre ta vënë në shërbim të vetëdijesimit shoqëror.

 

Shpërndaj me të tjerët