POLITIKË LOKALE/ Mes tensioneve me PDK-në, Kuvendi Komunal i Gjilanit miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e kryesueses Krenare Latifi-Kqiku, ka miratuar të premten Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027-2029, korrigjimin e një gabimi teknik për bartjen e mjeteve financiare nga viti paraprak, vendimin për dhënien në menaxhim të objekteve të ndërtuara në të ashtuquajturin “Fshati Lumtur” në lagjen Zabeli i Sahitagës, si dhe vendimin për formimin e Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore.

Seanca u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi grupi i këshilltarëve të PDK-së pengoi zhvillimin normal të punimeve, duke kërkuar që në rend dite të përfshihej raporti vjetor i punës së kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, për vitin 2025.

Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, deklaroi se raporti i kryetarit do të shqyrtohet sapo të vijë në rend dite, ndërsa njoftoi se pikat e mbetura të rendit të ditës do të shtyhen për seancën e ardhshme, për shkak të mungesës së kushteve për vazhdimin normal të punimeve.

“Respektojeni këtë Kuvend sepse po na shohin qytetarët. Për shkak të situatës në të cilën jemi, kërkoj që pikat e mbetura të shtyhen për seancën e radhës. Bëhet fjalë për formim të komisioneve për të drejtat e njeriut, për këshillat e fshatrave dhe për emërtimin e rrugëve”, ka thënë Latifi-Kqiku.

Për seancën e ardhshme janë shtyrë edhe disa pika të tjera, përfshirë themelimin e Komitetit për Barazi Gjinore, formimin e komisioneve për këshillat lokalë, ndarjen e titujve të nderit, emërtimin e rrugëve, vlerësimin e meritave historike dhe shoqërore, si dhe komisionin për përcaktimin e lokacioneve publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve dhe simboleve në territorin e Komunës së Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët