Me një karrierë të gjatë e të bujshme, të ndarë mes arsimit në Gjilan e punës sociale në Bujanoc, Nijazi Ameti mbetet një nga figurat më të respektuara intelektuale të rajonit.
I njohur për urtësinë, pedantrinë, profesionalizmin dhe buzëqeshjen e tij të ngrohtë, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme te gjenerata të tëra nxënësish, arsimtarësh e qytetarësh.
Rrugëtimi jetësor dhe arsimimi
Nijazi Ahmeti u lind më 9 dhjetor 1958 në fshatin Konçul të komunës së Bujanocit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes (pesë vitet e para), për t’i vazhduar deri në klasën e 8-të në Lluçan.
Shkollën e mesme, gjimnazin e përfundoi në Kamenicë, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën e Pedagogjisë.
Përpos punës si pedagog, Ameti për afër 11 vite ka shërbyer me përkushtim edhe si mësimdhënës i mësimit klasor.
Vitet e arsimit në shkollën “Selami Hallaçi” në Gjilan
Rrugëtimin e tij profesional e nisi më 11 tetor 1984 në shkollën fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, ku punoi për 18 vite, 10 muaj e një ditë (deri më 3 shtator 2013).
Nijazi Ameti ishte pedagogu i parë i kësaj shkolle me systematizim të vendit të punës të lejuar nga Ministria e Arsimit.
Ajo periudhë e gjeti shkollën “Selami Hallaçi” si një nga më të mëdhatë në Kosovë, me 120 deri në 130 punëtorë dhe me nga 11, 12 deri në 13 paralele për çdo gjeneratë (nga klasa I deri në VIII).
Gjatë kësaj periudhe, Ameti zbatoi metoda me standarde të larta profesionale për formimin e paraleleve të klasave të para.
Përmes testeve të përgatitura nga vetë ai, vlerësoheshin paranjohuritë e fëmijëve pa i lënduar ata apo prindërit e tyre, duke i ndarë në mënyrë të barabartë sipas tri kategorive të aftlsive (mbi mesataren, mesatare dhe me aftësi më të ulëta).
Kjo u mundësonte mësimdhënësve kushte të barabarta pune dhe nxirrte në pah suksesin e tyre real në mësimdhënie.
Ndikimi i tij ishte i drejtpërdrejtë edhe në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, duke i këshilluar mësimdhënësit e rinj dhe duke përcjellë përvojën pozitive ndër gjenerata.
Sakrifica e viteve të ’90-ta
Për çdo ditë pune, Nijazi Ahmeti udhëtonte në relacionin Konçul – Gjilan dhe anasjelltas.
Vitet më të rënda ishin ato nga viti 1990 deri në mars të vitit 1999, kur punonjësit e arsimit shqiptar punonin pa pagesë dhe në kushte të vështira okupimi.
Ameti kujton me mirënjohje të thellë ndihmën e linjave të transportit “Kaolini” dhe “Alpi” (nga Karaçeva dhe Hodonovci), të cilët i bartnin arsimtarët pa para gjatë asaj periudhe sfiduese.
Misioni humanitar në Bujanoc, mbi dy dekada në krye të QPS-së
Me kërkesë të pushtetit lokal për shkak të mungesës së kuadrove me përvojë, Nijazi Ameti u angazhua në Bujanoc, ku punoi si Drejtor i Qendrës për Punë Sociale për 20 vite, 7 muaj e 15 ditë.
Këtë detyrë ai e trajtoi jo thjesht si post drejtues, por si një çështje të mirëfilltë humanitare për t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të komunës pa dallim.
Nga përvoja e tij shumëvjeçare në dy fusha vitalisht të rëndësishme, Ameti nxjerr një përfundim domethënës:
”Suksesi i mësimdhënësit shihet menjëherë në vitet e para të punësimit përmes vullnetit të madh për të arritur rezultate me nxënësit.
Ndërsa në Qendrën për Punë Sociale, suksesi arrihet pas një përvoje mbi 30-vjeçare, në prag të pensionimit, sepse sa më shumë raste të zgjidhjes së problemeve të kesh pasur, aq më i suksesshëm je.”
Gjatë gjithë karrierës së tij, Nijazi Ameti mbeti shembull i urtësisë, komunikimit të ngrohtë dhe përkushtimit ndaj arsimit e mirëqenies shoqërore në Anamoravë dhe Luginë të Preshevës.
