ARSIM/MASh-i kërkon deklaratë nga prindërit për subvencionimin e teksteve shkollore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka dërguar sot një qarkore të gjitha Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), përmes së cilës kërkon nga shkollat fillore dhe ato të mesme të ulëta që të organizojnë plotësimin dhe grumbullimin e një deklarate të veçantë nga prindërit apo kujdestarët ligjorë të nxënësve të klasave 1-9.

​Kjo masë lidhet me verifikimin e procesit të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027.

Përmes kësaj deklarate, prindi ose kujdestari ligjor zotohet zyrtarisht se mjetet e marra janë përdorur për blerjen e librave, nxënësi i ka ato në dispozicion dhe se është i vetëdijshëm për kontrollet e mundshme nga institucionet kompetente.

Po ashtu, prindërit marrin obligim që tekstet e destinuara për ripërdorim t’i kthejnë në shkollë në përfundim të vitit shkollor në gjendje të rregullt.

​Shkollat do t’u shpërndajnë formularët nxënësve përfitues, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit, ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga vetë institucionet arsimore.

Sipas njoftimit, i gjithë procesi i dorëzimit të deklaratave duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026.

Shpërndaj me të tjerët