Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit ka njoftuar anëtarësinë dhe opinionin publik se, në mbledhjen online të mbajtur më 27 gusht 2026, me shumicën e votave të pjesëmarrësve është marrë vendim për shkarkimin e Kryesisë së deritanishme dhe emërimin e përbërjes së re drejtuese.
Ky riorganizim është ndërmarrë me qëllim të delegimit më të qartë të përgjegjësive, ndarjes së detyrave dhe krijimit të një strukture më funksionale për realizimin e aktiviteteve dhe objektivave të Shoqatës.
Kryesia e re përbëhet nga 10 anëtarë: Agim Maliqi, Agon Mahmuti, Armend Limoni, Blerta Ismaili, Elda Sahiti, Flamur Shala, Florent Jerliu, Merita Emini, Natyra Robelli dhe Sami Shurdhani.
Në kuadër të këtij riorganizimi, përgjegjësitë janë ndarë sipas fushave specifike.
Grupi i përbërë nga Natyra Robelli, Sami Shurdhani, Florent Jerliu dhe Blerta Ismaili do të jetë përgjegjës për planifikimin, koordinimin dhe realizimin e garave të matematikës, si dhe për komunikimin me shkollat.
Ndërkaq, Flamur Shala, Elda Sahiti, Merita Emini dhe Armend Limoni do të angazhohen në hartimin e planeve, projekteve dhe zhvillimin institucional të Shoqatës.
Përfaqësimi dhe koordinimi i aktiviteteve në Komunën e Kamenicës i është besuar Agon Mahmutit, i cili është emëruar Kryetar i Degës atje, me mbështetjen e anëtarit Agim Maliqi, për të thelluar bashkëpunimin me institucionet arsimore lokale.
Me strukturën e re, Shoqata synon rritjen e efikasitetit dhe cilësisë në organizimin e aktiviteteve.
Me këtë rast, është shprehur mirënjohje për punën e kryesisë së kaluar, ndërsa të resë i janë uruar suksese në mbështetjen e talenteve dhe zhvillimin e matematikës në rajon.
