Portreti i Selver Xhelilit, inxhinierit që po lë gjurmë në Ksamil
Rruga e suksesit shpesh merr drejtime të papritura, por kur ndërthuren përkushtimi, aftësitë menaxhuese dhe vizioni, arritjet janë të garantuara.
Ky është rasti i Selver Xhelilit, një figure të njohur nga Gjilani, i cili sot njihet si një nga afaristët më të suksesshëm në fushën e turizmit në bregdetin shqiptar, e veçanërisht në perlën e jugut, në Ksamil.
Rinia, shkollimi dhe lidershipi studentor
I lindur në vitin 1985 në Gjilan, Selveri që në fëmijëri dhe rini shquhej për përkushtim në mësime.
Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi me rezultat të shkëlqyeshëm në vendlindje, për të vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Ndërtimtarisë (Drejtimi Konstruktiv).
Edhe pse studionte në një nga degët më të vështira inxhinierike, nota e lartë mesatare dhe talenti i tij për organizim bënë që ai shpejt të ngjitej në strukturat studentore.
Fillimisht u zgjodh kryetar i studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë, ndërsa nga viti 2007 deri më 2009 udhëhoqi me sukses Unionin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës (USUP).
Gjatë kësaj periudhe, ai u shqua si një zë i fuqishëm dhe organizator i shkëlqyer i jetës studentore.
Përvoja në pushtetin lokal në Gjilan
Deformimet e tregut të punës bënë që ai, ndonëse e mbaroi fakultetin në kohë rekorde, të mos punësohej drejtpërdrejt në profesionin e inxhinierit.
Megjithatë, energjia dhe aftësitë e tij menaxhuese nuk kaluan pa u vërejtur.
Në vitin 2009, në moshmë mjaft të re, Selver Xhelili emërohet Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Gjilanit, detyrë të cilën e ushtroi për katër vite.
Gjatë këtij mandati, ai i dha një shtytje të fuqishme jetës kulturore e rinore, duke qenë çdo herë mbështetës i paanshëm i klubeve sportive dhe shoqatave rinore.
Më pas, nga viti 2013 deri më 2015, ai udhëhoqi me përgjegjësi një tjetër dikaster të rëndësishëm, duke shërbyer si Drejtor i Inspeksionit në Gjilan.
Dashuria për turizmin: Nga autostrada te bregdeti
Zanafilla e lidhjes së tij me turizmin daton që nga kohëzgjatja e studimeve. Si student inxhinierie, ai ishte pjesëmarrës në praktikat profesionale që mbaheshin gjatë ndërtimit të Autostradës Kosovë-Shqipëri.
Vizitat e shpeshta në Shqipëri bënë që te Xhelili të lindte një dashuri e madhe për turizmin dhe bregdetin shqiptar.
Hapat e parë në biznes i nisi në vitin 2005, kur për katër vite me radhë (deri më 2009) menaxhoi me sukses kompleksin “Gjilani” në Golem.
Kjo përvojë shërbeu si hapi i parë drejt asaj që më vonë do të shndërrohej në profesionin e tij të jetës.
Ksamili dhe ngritja e “Hotel 6 Milje”
Në vitin 2015, Selver Xhelili merr vendimin për t’u shpërngulur profesionalisht në Ksamil.
Ndonëse fillimi ishte i modest, me një staf të vogël dhe me dhoma me qira, vizioni i tij afatgjatë bëri që biznesi të rritej e të zhvillohej nga viti në vit.
Sot, ai është pronar dhe menaxher i një prej objekteve më të mëdha dhe më luksoze në Ksamil, “Hotel 6 Milje”.
Ky hotel modern plotëson të gjitha standardet evropiane dhe ofron kushte fantastike për pushuesit.
Ndërsa klientët flasin me superlative për shërbimin dhe mikpritjen, vetë Xhelili gëzon një autoritet dhe respekt të lartë në të gjithë zonën bregdetare të jugut.
Pjesa më e madhe e pushuesve në hotelin e tij vinë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe mërgata shqiptare.
Model frymëzues dhe kontribuues në shoqëri
Përveçse një sipërmarrës i suksesshëm, Selver Xhelili vlerësohet lart për anën e tij humane dhe mikpritëse.
Një detaj me mjaft rëndësi është se pjesa dërmuese e stafit dhe punëtorëve që ai punëson vijnë nga Kosova.
Në këtë mënyrë, ai vazhdon të japë një kontribut të drejtpërdrejtë në punësimin e të rinjve dhe mbështetjen e lehtësimin e ekonomive familjare.
Nga një student i dalluar dhe lider rinor, në drejtues i dy drejtorive komunale e deri te një prej emrave më të suksesshëm të turizmit në Shqipëri, rruga e Selver Xhelilit mbetet një model frymëzues se si me punë, mençuri dhe vullnet mund të ndërtohet një histori e vërtetë suksesi.
