SPORT/ Nën dritat e reflektorëve, Gjilani synon vazhdimësinë ndaj Dukagjinit

Pas dy fitoreve radhazi në udhëtim, SC Gjilani rikthehet të luajë si vendas në ndeshjen e javës së pestë të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Kjo përballje mbart një rëndësi të veçantë historike, pasi do të zhvillohet këtë të shtunë, nga ora 19:00, nën ndriçimin e reflektorëve të sapovendosur në stadiumin ndihmës të qytetit në Gjilan.

​Përveç synimit për të vazhduar ecurinë pozitive të rezultateve, atmosfera elektrizuese pritet të jetë një motiv shtesë për kuqebardhët.

​Në prag të këtij dueli ndaj Dukagjinit, trajneri i SC Gjilanit, Debatik Curri, ka vlerësuar lart kundërshtarin dhe ka bërë thirrje për mbështetje masive nga shkallët e stadiumit:

Ndeshja kundër Dukagjinit është sa e rëndësishme, aq edhe e vështirë. Ne luajmë për vazhdimësi të rezultateve pozitive dhe presim tifozët tanë në numër sa më të madh për këtë ndeshje të veçantë.”

Ndeshja pritet të dhurojë spektakël si në fushë ashtu edhe në tribuna, me tifozët gjilanas që do të kenë mundësinë të përjetojnë për herë të parë një ambient magjik nën dritën e reflektorëve.

Shpërndaj me të tjerët