Rikthehen reshjet, shi dhe borë gjatë javës, temperaturat në rënie

Pas disa ditësh relativisht të ngrohta dhe me intervale dielli, java e ardhshme pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme të motit, me rënie temperaturash dhe rikthim të reshjeve të shiut e borës.

Sipas parashikimeve për periudhën 16–20 mars, dita e hënë pritet të jetë dita e fundit me temperatura më të buta dhe mot më stabil.

Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 16°C, ndërsa gjatë ditës do të ketë edhe intervale me diell.

Ndryshimi i motit pritet të nisë nga dita e martë, kur në viset e ulëta parashihen reshje shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore.

Në disa zona reshjet mund të përzihen me borë edhe në lartësi më të ulëta, për shkak të rënies së temperaturave.

Gjatë mesjavës temperaturat maksimale pritet të luhaten mes 9 dhe 12°C, ndërsa temperaturat minimale mund të zbresin deri në -2°C, duke sjellë një mot tipik të fillim-pranverës me luhatje të shpeshta.

Deri në fund të javës moti do të mbetet kryesisht i vranët, me intervale të shkurtra me diell.

Era pritet të fryjë nga veriperëndimi, duke sjellë freskim të mëtejshëm të motit.

Megjithatë, pavarësisht reshjeve dhe rënies së temperaturave, kushtet e përgjithshme agrometeorologjike vlerësohen të favorshme për kulturat bujqësore, pasi lagështia e tokës do të ndihmojë zhvillimin e bimëve në këtë periudhë të hershme të pranverës.

Shpërndaj me të tjerët